Secondary Adv

MABCO zyrtarizon kursin drejt arbitrazhit për Aeroportin e Vlorës pas lëvizjes së MIE

MABCO do t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar pas nisjes së procedurës për zgjidhjen e kontratës së Aeroportit të Vlorës.

Reagimi i kompanisë me një deklaratë për shtyp erdhi një ditë pasi u bë publik lajmi se MIE kishte nisur procedurat për ndërprerjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. MABCO kundërshton pretendimet e autoritetit kontraktor dhe thotë se ka tentuar ta shmangë dërgimin e mosmarrëveshjes në arbitrazh ndërkombëtar.


“MABCO bëri gjithçka të mundur për të shmangur arbitrazhin ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e kompanisë. Në fund të dokumentit, MABCO njofton se do të përdorë të drejtat që, sipas saj, burojnë nga legjislacioni, kontrata e koncesionit, marrëveshja dypalëshe Shqipëri-Zvicër për mbrojtjen e investimeve dhe mekanizmat ndërkombëtarë.


Edhe pse deklarata nuk njofton depozitimin formal të një kërkese për arbitrazh ajo sinjalizon se kompania e konsideron të konsumuar përpjekjen për zgjidhjen e çështjes vetëm përmes komunikimit me autoritetet shqiptare.


MABCO thotë se zotëron 98% të kuotave në shoqërinë koncesionare Vlora International Airport, ose VIA, dhe pretendon se është mbajtur jashtë kantierit dhe kontrollit të shoqërisë për gati një vit. Kompania thotë se i ka drejtuar MIE-së më shumë se 90 shkresa lidhur me situatën e projektit.


Një nga pikat e mosmarrëveshjes lidhet me arsyet e mosrealizimit të punimeve sipas afateve. MABCO kundërshton që vonesat t’i atribuohen vetëm asaj, duke pretenduar se hyrja e kompanisë dhe e nënkontraktorëve në kantier është ndaluar që prej 18 majit 2026.


“MIE thotë se punimet nuk janë përfunduar, por hesht për arsyen pse ato nuk janë përfunduar”, thuhet në deklaratë. Kompania pretendon gjithashtu se ka siguruar dakordësinë e Dublin Airport Authority për rolin e operatorit ndërkombëtar dhe se ministria ishte vënë në dijeni për këtë proces.


Qëndrimi i MIE


MIE ka mbajtur më herët qëndrimin se mosmarrëveshja ndërmjet ortakëve është një konflikt privat që nuk mund të përdoret si arsye për moszbatimin e detyrimeve të koncesionarit. Ministri Enea Karakaçi do të shprehej pak kohë më parë se operacionaliteti i aeroportit dhe përmbushja e kontratës janë përgjegjësi të shoqërisë koncesionare dhe se shteti do të përdorë instrumentet kontraktore për mbrojtjen e interesit publik.


Në fund të majit, ministria i kërkoi palëve që të gjenin brenda 30 ditësh një zgjidhje për konfliktin dhe të paraqisnin dokumentacionin e kërkuar për vijimin e projektit. Ajo kishte paralajmëruar se, në mungesë të një zgjidhjeje, do të ushtronte të drejtat e parashikuara nga kontrata e koncesionit dhe legjislacioni në fuqi.


Lëvizja e MIE-së për zgjidhjen e kontratës dhe reagimi i MABCO-s e zhvendosin mosmarrëveshjen nga përplasja për administrimin dhe vijimin e punimeve të Aeroportit të Vlorës drejt një konflikti të mundshëm juridik ndërkombëtar. Kontrata koncesionare prej kohësh është bërë mollë sherri për të cilën mbetet për t’u parë nëse barra do të bjerë edhe një herë mbi kompaninë apo taksapaguesit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat